Skandali, Balluku jep pa garë koncesionin 320 mln euro për zgjerimin e 42 km të rrugës Lekaj-Fier. U paraqit vetëm 1 ofertë

Skandali, Balluku jep pa garë koncesionin 320 mln euro për zgjerimin e 42 km të rrugës Lekaj-Fier. U paraqit vetëm 1 ofertë

Ballukuu

Skandal me koncesionin 35 vjeçar për segmentin rrugor Lekaj-Konjat-Fier, pjesë e autostradës Milot-Fier. Ministria e Infrastrukturës dhe energjisë drejtuar nga Belinda Balluku ka shpallur fituese ofertën  prej 320 milion euro dhënë nga bashkimi i tetë kompanive, ndërkohë që në dokumentet zyrtarë të shpalljes së tenderit, projekti ishte parashikuar me një kosto prej 317,6 milion euro.

Në këtë mënyrë vlera e koncesionit është tejkaluar me 2,4 milion euro. Edhe pse financimi është krejtësisht privat, Ministria e Infrastrukturës nuk është kujdesur aspak që të kërkojë oferta më të lira, në mënyrë që edhe pagesa e mjeteve të jetë me e ulët. Por dyshimet shtohen edhe me tej, pasi edhe pse kontrata ka qenë mjaft tërheqëse, mbi 317 milion euro për zgjerimin e vetëm 42,2 kilometrave rrugë ekzistuese dhe ndërtimin e 3,8 kilometrave gjurmë e re, në tender ka marrë pjesë vetëm një ofertues, një bashkim kompanish shqiptare.

Vetë ministrja Belinda Balluku u kujdes në hapjen e tenderin më 2 gusht të këtij viti, për të reklamuar projektin dhe tërheqjen e sa më shumë ofertave.

“Kemi ndarë këtë gjatësi nga Miloti deri në Fier që është 114 km kemi vendosur ta segmentojmë duke iu dhënë më shumë hapësirë dhe mundësi kompanive garuese që të sigurojnë financimin e duhur për ndërtimin e secilit aks. Milot-Thumanë; Kashar-Lekaj e Rrogozhinës dhe më pas Lekaj-Fier do të jenë ndër akset përbërëse të këtij korridori të cilat nga sot po i lancojmë në garën ndërkombëtare për ndërtimin e tyre”, tha Balluku.

Por në fakt siç rezultoi më pas, garë nuk pati dhe tenderi u mbyll me vetëm një ofertë për këtë segment. Kjo kontratë është e dyta për segmentet e autostradës Milot-Fier. Më parë është lidhur kontrata rreth 400 milion euro për segmentin Kashar-Thumanë, e cila u anulua, por që më pas u aktivizua përsëri nga qeveria pas vendimeve të Gjykatës Administrative. Ndërkohë shumë shpejt Ministria e Infrastrukturës, pritet të shpallë fituesit edhe për 2 segmente të tjerë të autostradës Milot-Fier, e cila pritet të kushtojë plot 1,23 miliardë euro.

Lajme.online