“Sistemi arsimor ka prekur fundin”, pedagogia: Dita t`i themi STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve dhe shoqërisë nga Rama

“Sistemi arsimor ka prekur fundin”, pedagogia: Dita t`i themi STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve dhe shoqërisë nga Rama

Capture

Lili Sula, Drejtuese e Departamentit të Arsimit në PD njëkohësisht pedagoge, në protestën e cila po mbahet nga opozita para Kryesministrisë, u shpreh se ka ardhur koha që t’i thuhet Stop nëpërkëmbjes së shoqërisë dhe shqiptarëve nga qeveria dhe kryeministri Rama.

“Të nderuar të pranishëm,

Jam pedagoge prej shumë vitesh e shoh me keqardhje se si sistemi arsimor në vendin tonë prej kohësh ka prekur fundin.

Buxheti aktual i arsimit është 3.1 % i PBB, shumë larg buxhetit 5 % që është premtuar e ndërsa  vitet shkojnë, qeveria ecën mbrapsht; pasi mbështetja financiare që qeveria i kushton arsimit është më e ulët se buxheti  3.4%, i 10-12 viteve më parë.

Edhe arsimi i lartë është në rënie të lirë e Ministria e Errësimit, përveç fotove në rrjete sociale, as që tregon vëmendje. Ligji i Arsimit të lartë i miratuar me 2015 me shumicë kartonësh – edhe pse u kundërshtua nga të gjithë faktorët e interesit brenda e jashtë vendit—çdo ditë e më shumë tregon së është i dështuar në realitetin tonë universitar.  Po jap vetëm një shembull:

Ligji parashikon kredi për studentët, por universitetet nuk zotërojnë pronësi e siç dihet trualli e Muzeut të shkencave të natyrës në Rrugën e Kavajës- një laborator i gjallë i mësimdhënies e kërkimit shkencor u shtetëzua nga qeveria (si të ishim më 1946) e tashmë një goxha pallat është drejt përfundimit. Edhe Kopshti botanik – po kështu u shtetëzua.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Latë, që do të garantonte kreditimit- një strukturë tipike burokratike – nuk funksionon edhe pse një staf i saj paguhet nga taksat tona.

Por çfarë kërkoi Lëvizja universitare?

Lëvizja universitare – stafet ndihmësakademike, administrative e studentore, pa mbështetjen e të cilëve nuk ka kuptim puna e pedagogëve – kërkoi rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor  në 0.3 % të PBB, kur aktualisht është 10 herë më i ulët dhe shumë herë më i ulët se vendet e rajonit.

Lëvizja universitare kërkoi t`i rikthehej e drejta e mohuar e indeksimit të pagës – e cila do të rriste mbi 40 % pagat e stafit universitar; por që në shkelje të hapur të ligjit nuk është kryer prej shumë vitesh.

Dhe besoj se cilido e di mirë, se ka një paradoks të thellë mes trajtimit financiar të kërkuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku paga mesatare shkon 3500 euro dhe pedagogëve të tyre – prej të cilëve diplomohen – me pagë mesatare 2 herë më të ulët se kolegët në Kosovë.

Lëvizja universitare kërkoi dhe kërkon t`i rikthehet autonomia dhe liria akademike universiteteve, që përbëjnë themelet e tyre, kërkoi vëmendje për degët e studimeve albanologjike, që shënojnë identitetin tonë kombëtar, të cilat nga viti në vit po pësojnë rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, ndërkohë që një pjesë e tyre po i venë kyçin portave të dijes, thënë ndryshe kërkoi që qeveria të kthente sytë nga bota universitare e ta trajtonte me dinjitet ashtu siç i takon elitës së shoqërisë, por u ndesh me presione, intimidime e shantazhe nga më të shëmtuarat e me një ligjërim kryeministror që s`do t`i lejohej as një personi me arsim të detyruar.

Ndaj është dita t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve, punonjësve, stafeve universitare e studentëve, t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së mbarë shoqërisë sonë nga kjo qeveri dhe kreu i saj, z. Rama”, tha ajo.

Lajme.online