Shqipëria, 100 mln euro gjobë/ Ministria e Infrastrukturës anuloi koncesionin në Portin e Durrësit

Shqipëria rrezikon të marrë një tjetër gjobë mbi 100 milionë euro në arbitrazh për shkak të vendimeve të marra nga Ministria e Infrastrukturës që aktualisht drejtohet nga Belinda Balluku.

Kompania turke Kurum, fitoi në 2011-ën një koncesion 30-vjeçar për menaxhimin e terminalit të kontenierëve në portin e Durrësit.

Por, në 2017-ën, Damian Gjiknuri ministri i atëhershëm kërkon anulimin e koncesionit duke hapur çështje gjyqësore për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kompania.

Si Gjykata Administrative ashtu edhe ajo e Apelit konfirmuan të drejtën e Ministrisë për zgjidhjen e kontratës. Më pas me marrjen e dikasterit nga Belinda Balluku, në 3 shkurt 2020, përmbaruesit shkojnë për të larguar kompaninë turke nga porti i Durrësit.

Për këto veprime, kompania turke ka bërë padi në arbitrazh më 23 shtator të 2020-ës. Gjykata e Arbitrazhit në Amerikë ka nisur procesin e administrimit të provave dhe dokumentacioneve të dosjes.

Ky është hapi i fundit procedurial, për të kaluar më pas në procesin e shqyrtimit të padisë dhe në fund të vendimmarrjes.

Gjoba për Shqipërinë në rastin e humbjes së çështjes mund të kalojë dhe shifrën e 100 milionë eurove duke marrë parasysh edhe kostot e mbrojtjes.

Terminali i kontejnerëve i është dhënë tashmë me koncesion një kompanie të regjistruar në Maltë, “Hili Company Limited”e cila ka hapur një kompani në Shqipëri dhe qe bën vetëm operimin dhe mirëmbajtjen.

Me kontratën e nënshkruar në 8 mars të 2021-it koncesioni iu dha kompanisë së re për 3.8 miliardë lek, ose 32 milionë euro për pesë vite.

Edhe kjo kompani do largohet prej andej së bashku me gjithë procesin e ngarkim shkarkimit të kontejnerëve pasi porti i Durrësit do kthehet në një port jahtesh.