Shpërthim në Stamboll/ Guvernatori: Katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Një shpërthim ka ndodhur në bulevardin Istikalal të Stambollit këtë pasdite, ku të paktën katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, shkroi në Twitter se shpërthimi ndodhi në orën 16:20 dhe se ka të paktën 4 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të së dielës.

Në videot e postuara online shihen flakë pas një shpërthimi të fuqishëm, teksa qytetarët shihen duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Një video tjetër shfaqi autoambulancat, ekipet e zjarrfikësve dhe policinë në vendin e ngjarjes. Në mediat sociale u tha se dyqanet në këtë zonë janë mbyllur pas shpërthimit.

Transmetuesi CNN Turk tha se 11 persona janë plagosur. Bulevardi ku ndodhi shpërthimi është i frekuentuar nga turistët dhe banorët lokalë dhe aty gjenden dyqane dhe restorante.

Turqia është goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e  morën grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë.