Sera e kanabisit në Dimal, gjykata vendos t’i lërë në burg, 11 të arrestuarit: Paguheshim 5 mijë lekë dita, u detyruam për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike

Sera e kanabisit në Dimal, gjykata vendos t’i lërë në burg, 11 të arrestuarit: Paguheshim 5 mijë lekë dita, u detyruam për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike

Berat Gjykata

Të arrestuarit dhe avokatët e tyre kanë deklaruar në sallë se kishin shkuar të punonin për të siguruar të ardhura,për shkak të kushteve të vështira ekonomike ku jetojnë.

Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 11 shtetasit e arrestuar si organizatorët dhe mbikëqyrës së serës së mbjellë me hashash në fshatin Drenovicë në bashkinë Dimal.

Jurgen Ujkaj, Bashkim Mema, Sidrit Bisha, Endrit Xheka, Edison Mema, Mirvaldo Disha, Hamdi Dyli (pronari që kishte lënë me qira serat), Blerim Xheka, Samuel Lushaj, Drita Mema dhe Izmira Mema janë sjellë në Gjykatën e Beratit nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që forca të shumta policie kanë krijuar përreth gjykatës një perimetër të gjerë sigurie pasi përreth gjykatës kanë qenë të pozicionuar familjarët e të arrestuarve.

Seanca për masat e arrestit ka zgjatur rreth 3 orë dhe mësohet se në sallën e gjyqit kanë folur vetëm 2 prej burrave të arrestuar, ndërkohë që për të arrestuarit e tjerë kanë folur vetëm avokatët përfaqësues të tyre: Flutura Eski, Agron Isufi, Plarent Lapardhaja dhe Qazim Kozhaj.

Dy burrat kanë deklaruar se kishin ardhur për të punuar pasi merrnin 50 mijë lekë (të vjetra) në ditë dhe se ishin të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetojnë.

Mësohet se prokurorja Albiona Papajani ka kërkuar vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të 11 shtetasve dhe caktimin për ta të masës së sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi, pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe pretendimet a avokatëve e ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e 11 shtetasve të sipërpërmendur dhe ka caktuar për të gjithë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Parcelat e hashashit në fshatin Rërëz, Drenovicë në bashkinë Dimal u zbuluan dhe asgjësuan mëngjesin e së enjtes gjatë një aksioni “blic” të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në aksion janë përfshirë Inspektorët e Sektorit të Narkotikëve dhe Trafiqeve, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Lënda narkotike prej 800 kilogramësh ishte mbjellë në një sipërfaqe prej 2 hektarësh dhe serat ku ndodhej kanabisi kanë qenë ngjitur me serat e domateve dhe perimeve të tjera të mbjella brenda tyre. Paketimi, sistemimi i drogës dhe përpunimi i saj kryhej brenda serës nga gratë e punësuara nga organizatorët dhe kokat e këtij aktiviteti kriminal.

Të arrestuarit
1- Jurgen Ujkaj
2- Bashkim Mema
3- Sidrit Bisha
4- Endrit Xheka
5- Edison Mema

6- Mirvaldo Disha
7- Hamdi Dyli, pronari që kishte lënë me qira serat
8- Blerim xheka
9- Samuel Lushaj
10- Drita Mema
11- Izmira Mema