Sera e kanabisit në Berat/ Lihen në burg 11 të arrestuarit, mes tyre dy gra që rekrutonin 95 punëtoret

11 personat e arrestuarit disa ditë më parë në serën ku përpunohej kanabis në fshatin Kutall janë lënë në burg këtë të diel nga Gjykata e Beratit.

Avokati i dy grave ka kërkuar masë më të butë, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga gjykata.

Gjyqtari i çështjes së të akuzuarve ishte Pëllumb Zaimi.

Të arrestuarit janë Hamdi Dyli, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Blerim Xheka, Bashkim Mema, Edison Mema, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha, Samoel Lushaj, Drita Mema dhe Izmire Mema.

Dy gratë mes 11 organizatorëve rekrutonin 95 punëtore, të cilat po hetohen në gjendje  të lirë.

Shumica e të ndaluarve nga policia të përfshirë në kultivimin e kanabisit ishin nga zonat Nikël, Burrel, Kamëz, Fushë Krujë, Shkodër dhe Lezhë.

Më 10 nëntor në Kutalli të Beratit policia zbuloi një fermë kanabisi, ku thahej lënda narkotike.

Gjatë operacionit u sekuestrua rreth 875 kg kanabis i tharë, ndërsa u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra të cilat ishin punësuar për të pastruar lëndën narkotike.

Të arrestuarit janë nga Drenovica, Ishëmi, Lezha, Kopliku, Nikla, Kamëza apo Tirana, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një 19-vjeçar.

Sera ku ishte ndërtuar kapanoni ku përpunohej droga ishte në pronësi te Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, ku 95 gratë e punësuara pastronin çdo ditë lëndën narkotike të tharë që ua sillnin me furgon.

Punëtoret të cilat ishin të moshave të ndryshme deri 75 vjeç, thanë se janë punësuar jo në të njëjtën kohë, ku pjesa më e madhe kishte 20 ditë që punonin.

Lënda narkotike e tharë vinte me furgon, punëtoret e pastronin e paketonin dhe furgoni sërish e merrte.