Sekuestrohen 36 aparate celulare, arrestohet 32-vjeçari që i tregtonte në dyqanin e tij

Një 32 vjeçar u arrestua në Tiranë si dhe u sekuestruan 36 aparate celulare, që i dyshuari i tregtonte në dyqanin e tij.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Phones 5”, kanë goditur një rast tjetër të tregtimit të mallrave të kontrabanduara. Si autor i dyshuar i kësaj veprimtarie të kundërligjshme, u arrestua shtetasi: – B. K., 32 vjeç, banues në Tiranë.”, informoi sot Policia e Shtetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin në pronësi të 32-vjeçarit, në rrugën “Don Bosko”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 36 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.