Reja e zezë e inflacionit/Bizneset presin që të arrijë 12.7 %, do frenojë rritjen ekonomike

Ndikimet e vazhdimësisë së luftës në Ukrainë dhe pasiguritë e larta në tregjet globale janë materializuar tashmë në ekonominë shqiptare.

Vendi po përballet me ngadalësim të ekonomisë dhe me normën më të lartë të inflacionit që prej vitit 1998 në 8.3% në tetor, ndërsa pritshmëritë janë edhe më pesimiste për periudhën në vijim.

Bizneset dhe agjentët financiarë presin që inflacioni pas një viti të arrijë në 12.7%. Të dhënat janë publikuar nga Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të këtij viti ku rezulton se efektet kanë qenë më të forta në këtë periudhë.

Shqetësimi kryesor theksohet në raport mbeten pasojat negative afatgjata të inflaiconit të rritur që pritet të frenojë rritjen ekonomike, gjendjen financiare të bizneseve e familjeve shqiptare kostot e të cilave janë rritur ndjeshëm për çdo mall e shërbim që blejnë.

Megjithëse aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet në pjesën e mbetur të vitit, parashikimet nuk janë aq optimiste nënvizon banka qendrore, pasi pritet që ritmet e rritjes të ngadalësohen duke marrë në konsideratë edhe rreziqet e shtuara që mund të vijnë nga një përshkallëzim e krizës energjetike në Europë.

Shtrenjtimi i fortë i çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore ka dhënë edhe ndikimin kryesor në inflacion. Rritja vjetore e çmimeve ka qenë dyshifrore për të dyja këto grup mallrash në tetor, ku ushqimet rezultuan 14.6% më të larta se tetorin e shkuar, ndërsa transporti u shtrenjtua me 16.9% më shumë.

Brenda grupit të artikujve ushqimorë rritja ishte më e lartë për produktet e vajrave e yndyrnave me 27.4%, produkteve të bulmetit me një rritje prej 24.3% si dhe bukës e drithërave me 17.1% më të larta se krahasuar me tetorin e vitit 2021.