“Rama rreh gjoksin, ka vendosur ministret të firmosin”, deputeti i PD për portin e Durrësit: E kanë firmosur marrëveshjen para 2 vitesh, vendi do fitojë vetëm…

“Rama rreh gjoksin, ka vendosur ministret të firmosin”, deputeti i PD për portin e Durrësit: E kanë firmosur marrëveshjen para 2 vitesh, vendi do fitojë vetëm…

Spaho 1

Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në News24 ka folur mbi projektin e portit të Durrësit dhe diskutimet mbi të në Komisionin e Ekonomisë ditën e sotme, ndërsa tha se komentet e marra nga kryetari i komisionit sipas tij janë qesharake.

Spaho shtoi se në projekt ka vetëm gënjeshtra dhe se vendi do të përfitojë vetëm 200 milionë euro nga investimi dhe jo 2,1 miliardë siç është deklaruar më herët nga qeveria, teksa gjithashtu tha se për këtë çështje duhet të përgjigjen ministret që kanë firmosur, të cilat sipas tij janë vendosur nga kryeministri Rama për të mos mbajtur përgjegjësi.

“Këtu nuk respektohet as ana formale, një projekt që cilësohet si më i madhi turistik për vendin, 2.1 miliardë euro futet me procedurë të përshpejtuar dhe pretendojnë se janë në diskutime prej një viti kur e kanë firmosur amrrëveshjen para 2 vitesh dhe tani na thonë që do e shqyrtojmë me procedurë të përshpejtuar. Cila është arsyeja. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë tha se kanë frikë mos ikën investitori, këto janë komente qesharake, kjo është të tallesh me ne.

Në projekt vetëm gënjehet. A është ky projekt fitimprurës për vendin, duhet t’i diskutojmë këto, vetëm 200 milionë janë përfitime për vendin ndryshe nga çfarë thotë qeveria. Kjo është firmosur nga ministrja e Financave dhe ajo e Infrastruktrës, ato duhet ta mbrojnë këtë projekt. Aty dërgojnë një zv.ministër dhe një drejtor porti, aty ka përgjegjësi politike dhe ligjore. Kryeministri që del dhe rreh gjoksin nuk ka firmosur vetë, ka vendosur ministren që nëse del diçka nesër ai del me duar të pastra.

Zv. Sekretarja e përgjithshme e Kryeministrisë nuk është personi i përshtatshëm të raportojë për këtë çështje duhet të vijnë ministrat. Nuk kanë kurajon të përballen me ne në Komision. Duke qenë se e kanë skenarin të gatshëm e çojnë debatin në tema të tjera. Nuk pranoj që për këtë çështje të raportohet nga njerëz pa përgjegjësi ligjore”, tha ai.