“Rama nuk lejon ndërtimin e parcelave për 6 mijë të zhdukur”, Ndregjoni: Alibeaj dhe grupi i tij më mohuan të drejtën të garoj për Avokatin e Popullit. Ai deliron se..

Besim Ndregjoni, aktivist i të drejtave të njeriut, në studion e News24 ka deklaruar se i është mohuar e drejta për të kandiduar për postin e Avokatit të Popullit.

Ai ka deklaruar se një akt i tillë është një akt politik, dhe akuzon kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj se i ka mohuar të drejtën për të garuar duke shkelur kështu edhe Kushtetutën.

Zoti Ndregjoni ka sqaruar se grupi i deputetëve të drejtuar nga Alibeaj, kanë bërë një mbledhje dhe kanë marrë një vendim të tillë.

“Është mohuar politikisht. Shkuam në Komisionin e Ligjeve, u mbështeta nga 33 deputetë për të kaluar për votim në Parlament. Një grup prej 15 vetash të drejtuar nga Alibeaj, bëjnë një mbledhje si përfaqësues të opozitës, kur në fakt nuk janë sepse opozita ka 59 deputetë. për narcizëm politik klasor ndaj kandidaturës të të përndjekurve politik, u eliminuan të gjitha kandidaturat që plotësonin kriteret ligjore, dhe thanë do kandidojmë vetëm dy vetë, ata që mendonte Alibeaj. Deputeti Belind Këlliçi bëri deklaratë në Parlament dhe dënoi këtë akt politik.

Gjithçka u bë në fshehtësi. Ne nuk na u tha asgjë për mbledhjen që u bë. Si mund të merret një vendim politik mbi Kushtetutën.

Me delirin e udhëheqësit të opozitës kur në fakt nuk është, pasi as nuk është zgjedhur dhe as ka shumicën e partisë, si lejohet pas 32 vitesh të shkelet Kushtetuta. Si mund të dhunosh te drejtën të garojë një person që përfaqëson një nga grupet më të dhunuar gjatë diktaturës. kush je ti që në emër të një mandati që e ke marrë me votat e të përndjekurit politik të na ndalosh të garojmë?

Ne të përndjekurit politik nuk urrejmë, e respektojmë kryeministrin edhe pse nuk e votuam.

Si mund të jem i qetë unë si i përndjekur politik kur ka 9 vjet ky kryeministër nuk ka takuar asnjë përfaqësues tonë.

Ka 3 vjet që nuk jep asnjë shans që të ndërtohet parcela kombëtare e 6 mijë të zhdukurve në Tiranë, sot nuk ka një ditë përkujtimi për këta të zhdukur.

Ndërkohë na mohohet garimi dhe thonë do kandidojë shoferi im”, tha ai.