Qarqet e fshehta që prodhojnë politikanë në Shqipëri!

Shumë e konsiderojnë të mistershme pamundësinë e evidentimit të një elite të re politike në Shqipëri. Në të vërtetë, enigma qëndron diku tjetër.

Që në krijimin e shtetit shqiptar, udhëheqësit e këtij vendi nuk kanë dalë nga bërthama intelektuale, feudale apo borgjeze e popullsisë, por nga lobe qendrash të fuqishme pushteti që nuk operonin në Shqipëri, por jashtë vendit. Lobe që buronin ose nga shtete fqinjë të Shqipërisë, të cilët kanë pasur interesa për të diktuar politikat këtu, ose nga fuqi të rëndësishme ndërkombëtare.

Tashmë dihet botërisht se ishte Austro- Hungaria, një fuqi dikur qendrore e Europës së vjetër, e cila financoi dhe mbështeti Rilindjen tonë Kombëtare, duke ndjekur modelin e iluminizmit europian.

Habsburgët, që sollën në Shqipëri shtypshkronjat e para, ishin ata që paguan e financuan jo vetëm elitën e iluminuar të rilindasve, por edhe botimet në gjuhën shqipe, gazetat e revistat e para që u publikuan në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Së bashku me Austro- Hungarinë, edhe Vatikani ka mbështetur në një linjë të ngjashme nëpërmjet Kishës Katolike përhapjen e arsimit në gjuhën amëtare shqiptare. Tashmë, me deklasifikimin e arkivave, është vërtetuar se përveç rilindasve të mëdhenj, duke filluar nga vëllezërit Frashëri, habsburgët përkrahën në mënyrë direkte atë elitë shqiptare që nisi të jetësohej në Stamboll, në të ngrysur të shekullit 19 dhe fillimin e shekullit të 20.

Nga Ismail Qemali te Fan Noli, e gjithë ajo klasë politike intelektuale pati mbështetjen direkte të Vjenës së ndriçuar.

Porta e Lartë, e rrënuar nga korrupsioni dhe abuzimi nuk pati rol në prodhimin e një klase të re, gjithsesi me klasën e bejlerëve, të cilët sulltanët në shekuj u kishin dhënë zotërime të mëdha kishin bërë punën e tyre. E bejlerët e mëdhenj, pas rënies së sulltanit mbështetën xhonturqit, me shpresën se do ruanin privilegjet. Më dështimin e xhonturqve, elita e vjetër përgjithësisht emigroi drejt qendrave të fuqive fqinje, me disa përjashtime.

Beogradi e Athina, nisën mbështetjen e parisë, që po kërkonin një pardon të ri. Kjo elitë urrente të iluminuarit dhe Austro-Hungarinë që i mbështeste. Kjo ishte arsyeja që Esat Pasha u bë edhe kundërshtari më i fortë i Vjenës dhe boshtit të saj me Gjermaninë në Luftën e Parë Botërore.

Ndërkaq, pas rrëzimit të komunizmit, në Shqipëri rinisi gara e fuqive të huaja për të pasur influencat e tyre. E shumë ende e konsiderojnë enigmë se si Sali Berisha u katapultua në krye të opozitës së pare dhe pse Ramiz Alia e zgjodhi pikërisht atë. E gjitha kjo ishte një marrëveshje që u sponsorizua nga qarqet e vjetra të Moskës e Beogradit, të cilët bindën amerikanët se është gjetur lideri i duhur. Siç më pas edhe kryeministri i parë i vendit ishte rezultat i “bekimit” të Athinës, e cila e zbatoi planin e saj strategjik që të udhëheqte ortodoksët shqiptar nga një njeri i tyre dhe mbajti larg çdo mbështetës të autoqefalisë fanoliane.

Ishte Moska, Athina e Beogradi, dy nga qendrat e rëndësishme që kanë prodhuar e financuar elitën e parë postkomuniste shqiptare.

Ilir Meta, përshembull, ishte një person pa një ndikim të rëndësishëm në grupin që themeluan Partinë Socialiste në vitin 1991. Por ai shumë shpejt u katapultua në drejtimin e të rinjve të PS-së në fillim, e më pas në krye të saj.

Si ndodhi? Vetë Meta deklaroi në intervistën e parë si President se takimin e parë me një të huaj në Tiranë e kishte bërë me ambasadorin e Rusisë.

Ndërkaq, Fatos Nano, nuk ka enigmë që është përkrahur fort nga Athina dhe nga Andreas Papandreu, i cili është i pari që e financoi PS-në me logjistikë dhe ndihmë financiare. Pa harruar bursat e lobistit grek Kokalis, i cili financoi në Harvard një dorë të mirë të rinjsh në Shqipëri, që më vonë u bënë politikanë të rëndësishëm.

Janë pra dy kryeqytetet e rajonit që patën pjesën e luanit në elitën e parë politike pas komunizmit. Ndaj dhe kush ishte jashtë orbitës, u shkërmoq, e mënjanua me kalimin e kohës pas rrëzimit të komunizmit.

Aty në atë kohë, lindi dhe u rrit fort një nga lobet më të rëndësishme që tani është bërë edhe ‘kazus’ politik.

Po flasim për klanin  George Soros, i cili ngriti një klasë intelektuale të Tiranës, duke i financuar dhe mbështetur. Nuk është aspak çudi që Edi Rama ka qenë kreu i parë i bordit të Soros, më pas ka qenë edhe vëllai i tij Olsi, por edhe gruaja aktuale e Edi Ramës- Linda apo ish-bashkëjetuesja, e cila është bashkëshorte e ministrit kryesor të socialistëve sot në qeveri.

Soros ngriti edhe Erion Veliajn dhe “sektin” e tij politik që ishte një paralele por aleate më grupin e Edi Ramës.

Këto janë qarqe të fshehta, të cilat me arsye disa konspiracionistë i konsiderojnë si “llozha masonike”. Madje në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, thuhet që edhe Ibrahim Rugova ishte pjesë e një llozhe të njohur frimasonësh frankofonë.

Mund të duken fantazi, por në fund të fundit, fakti është kokëfortë- kush ka tentuar të lëvizë apo të ngjitet në politikë jashtë këtyre qendrave të fshehta, ose është eleminuar, ose është denigruar, ose është larguar me takt. Sepse nuk ka pasur rrugë tjetër…