“Protestë nga një nongrata e një spiun,” Meta i përgjigjet Ramës: Ëndrra jote për të fundosur pluralizmin ka marrë fund

Kreu i Partisë së Lirisë i ka kthyer përgjigje komenteve të bëra nga kryeministri Edi Rama më herët gjatë ditës për protestën e 12 nëntorit.

I pyetur nga gazetarja Erneta Shevroja, në një konferencë për mediat, Ilir Meta tha se protestat janë vetëm në fillim të tyre dhe shtoi se “ëndrra” sipas tij, e kryeministrit për të zhdukur pluralizimin ka marrë fund.

Sa i përket komenteve të Ramës për projektin e Portit të Durrësit, kreu i PL tha se ai do të përfundojë si afera e inceneratorëve “me bedela në fund fare.”

“Krenari si inceneratorët? Kështu do të përfundojë edhe kjo histori me disa bedela në fund fare. Kam edhe një mesazh tjetër, çdo punonjës i administratës të jetë i kujdesshëm, të mos u binden urdhërave në falsifikim, në vjedhje, në grabitje. Ishte vetëm fillimi i asaj stuhie demokratike që ka nisur në Shqipëri dhe do t’i japë përgjigje përfundimtare pinjollit të Kristaqit. Duke filluar edhe nga 25 korriku, nga dita kur kemi PL,” tha Meta.

Kujtojmë se duke u ndalur tek protesta e thirrur prej Ilir Metës dhe Sali Berishës, kryeministri Edi Rama ka theksuar se kjo ishte thjesht një protestë partish, pasi sipas tij organizohej nga një “non grata” dhe një spiun.

Protestuesit, Rama ka thënë se, ishin militantë të PL dhe të PD, ndërsa theksoi se i vjen keq për ta, që shkojnë pas dy personash që janë paguar për të bërë dëme ndaj Shqipërisë.

“Për një protestë partish. Një non grata dhe një spiun që mbledhin militantët e tyre. Kjo s’ka lidhje me qytetarët dhe me popullin. Është një protestë partishë për pushtet. Për të prishur dhe për të marrë. Me të vetmin rezultat që hodhën ca bojë, që punuan punëtorët natën për ta larë. As nuk i kam parë as nuk më intereson fare. Mund ta bëjnë po të duan çdo ditë. E gatuan i njëjti kuzhinier non grata. Më vjen keq për ata militantë që po shkojnë pas disave që paguhen nga të huajt për të bërë dëm në këtë vend. Nuk shqetësohen investitorët që një non grata bën protestë” tha Rama.