“Protestë e pandalshme deri në dorëheqjen e Ramës”, Bardh Spahia: Duan të na shohin të lodhur

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia tha sot në protestën e opozitës se ajo duhet të jetë e pandalshme deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Sipas tij “nuk ka fitore po nuk fitoi Shkodra. Ne kemi pasur përgjegjësinë e madhe që në momente historike të mbetemi guri i çmuar i demokracisë. Era e ndryshimit nisi nga Shkodra dhe kam bindjen se me këtë kurajo për të mos u dorëzuar, era e ndryshimit po fryn në të gjithë Shqipërinë. Sot është një ditë e bukur lirie por nuk mjafton nëse ne e lëmë me kaq. Protesta jonë duhet të jetë e pandalshme deri sa ky kryeministër të japë dorëheqjen dhe ti hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne sot jemi shndërruar në popullin e gomoneve se vota vidhet e manipulohet. Vetëm vitin e kaluar nga Shkodra u larguan 5 mijë qytetarë, këtë vit ky numër është disa herë më i madh”.