Nuk ndalen aktivistët klimatikë! Sulmojnë pikturën e Gustav Klimt

Aktivistët nuk ndalojnë së sulmuari piktura. Së fundmi, është sulmuar piktura e Gustav Klimt me një lëng të zi dhe vajor, e cila nuk u dëmtua sepse ishte pas një mbulese xhami.

Aktivistët e ndyshimeve klimatike e përdorin këtë metodë si mesazh për të treguar se duhet të veprojmë përpara se planeti të shkatërrohet.

Anëtarët e grupit ‘Last Generation Austria’ sulmuan pikturën e vitit 1915 “Vdekja dhe jeta” në Muzeun Leopold në Vjenë, në shenjë proteste kundër përdorimit të energjisë fosile nga qeveria e tyre.

Në “Twitter”, grupi mbrojti veprimin, duke thënë se ata po protestonin kundër përdorimit të naftës dhe gazit, të cilën e quajtën një dënim me vdekje për shoqërinë.

“Ndaloni shkatërrimin e karburanteve fosile. Ne po vrapojmë drejt një ferri klimatik”, ka thënë një nga aktivistët.

Grupe të ndryshme aktiviste kanë organizuar demonstrata të shumta muajt e fundit, duke përfshirë bllokimin e rrugëve dhe hedhjen e puresë së patates në një pikturë të Claude Monet në Gjermani.
Grupi britanik ‘Just Stop Oil’ hodhi supë me domate në Sunflowers të Vincent van Gogh në Galerinë Kombëtare të Londrës muajin e kaluar.