“Nuk është ndjekur parimi i…”, Alibeaj në komision: Porti i Durrësit po trajtohet si “mall pa zot” dhe po falet

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se projekti i Portit të Durrësit është një aferë e mirëfilltë korruptive.

Alibeaj shtoi se në këtë projekt nuk është ndjekur parimi i garës dhe gjithçka është bërë në “errësirë” të plotë.

Ai shtoi se duhej analizuar nëse projekti në fjalë kishte leverdi ekonomike ose jo dhe sipas tij del se shteti humbet nga kjo vepër.

Komentet Alibeaj i bëri në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

“Ky vend i varfër ka nevojë për investitorë të mëdhenj, por atëherë situata do të ishte ndryshe. Fakti që gjithçka është zhvilluar ën errësirë, pranohet nga vetë qeveria që nuk është e tillë. Gjithçka e fshehtë dhe në errësirë. Mjaftoi vetëm një ditë si kjo e sotmja për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Ky është një projekt pa garë. Mund të qeshësh, por në fakt është për të qarë. Kjo sjell një problem shumë të madh. Kanë shkuar dhe kanë gjetur këtë investitor, por nuk është ai. Në fakt po ishte ndjekur parimi i garës, do ishte ndryshe. Sepse nëse njëri do të vij me 2.1 vjen tjetri me 2.2 dhe tjetri me 2.3. Pasuria publike nuk duhet të konsiderohet si mall pa zot. Porti i Durrësit po trajtohet si mall pa zot dhe po falet. Sa probleme kushtetuese ka një ligj që nuk duhet të vinte fare, por që në fakt erdhi. Nga momenti që vijnë ligje të posaçme, ligje personale, janë afera korruptive. E dyta duhet analizuar nëse ka leverdi ekonomike apo s’ka leverdi ekonomike kjo punë. Sipas llogarive të mia, shteti shqiptar ka marrë jo më pak se 630 milion euro. Dhe nuk po përfshij këtu diçka tjetër. Faktin që Porti i Durrësit nuk do ta kryejë funksionin e vetë. Ndërkohë, nga ana tjetër, çfarë vjen dhe çfarë sjell investitori. Ai fillimisht duhej të vendoste emrin, brendin dhe jo të vinte me 160 milion dhe të merrte përsipër punimet”, u shpreh Alibeaj.