Ngarkesa madhore e eksplozivëve kapet në Gjirin e Omanit nga marina e SHBA (fotot)

Një mjet peshkimi që mbante eksploziv të mjaftueshëm për të mbushur “të paktën dhjetë raketa balistike) është interceptuar nga marina e SHBA teksa lundronte drejt Gjirit të Omanit pasi ishte nisur nga Irani, thanë sot autoritetet.

Flota e Pestë amerikane tha se kishte ndaluar te dielën peshkarexhën me material eksploziv që po lundronte drejt Gjirit të Omanit, në itinerarin që është përdorur më parë për të trafikuar armatime në konfliktin e Jemenit.

Forcat e SHBA thanë se gjetën në barkë 70 ton perklorat amoniumi që përdoret zakonisht si karburant raketash ashtu si dhe si eksploziv.

Një koalicion ushtarak i drejtuar nga Arabia Saudite po lufton prej vitit 2015 në konfliktin e rëndë në Jemen, kundër forcave Houthi të mbështetura nga Irani,.

Sauditët kanë akuzuar shpesh se Teherani po furnizon grupin me armatime por Irani i mohon akuzat.

“Kjo ishte një sasi e konsiderueshme materiali eksploziv me të cilën mund të mbusheshin më shumë se 12 raketa balistike të rangut të mesëm”, tha Admiral Brad Cooper, komandant i forcave detare amerikane në rajon.

Barka e interceptuar kishte katër persona të ekuipazhit nga Jemeni, dhe kishte gjithashtu në bord 100 ton ure fertilizues, që përdoret në bujqësi, por sipas forcave të SHBA mund të përdoret dhe në eksplozivë.

Forcat amerikane thanë se kishin fundosur anijen në Gjirin e Omanit pasi ishte një “rrezik për lundrimin e anijeve tregtare, ndërsa ekuipazhi iu dorëzua rojës bregdetare të Jemenit.