Në kërkim të terroristit, turqit mendojnë se u arratis në Bullgari, “atentatorja do ikte në Greqi”

Autoritetet e vendeve fqinje të Turqisë janë në gatishmëri pas një sinjali të Interpolit për një person të dytë që dyshohet se është përfshirë në shpërthimin vdekjeprurës në Stamboll që la tetë të vdekur dhe 81 të plagosur.

Ndër vendet që kanë marrë sinjalin në fjalë nga Interpoli është edhe Greqia, ndërsa autoritetet turke pretendojnë se i dyshuari është arratisur në Bullgari. Në Athinë deklaratat e ministrit të Brendshëm turk kanë shkaktuar reagime.

“Operacionet tona vazhdojnë me sukses. Po të mos kishim kapur terroristët, ata do të ishin arratisur sot në Greqi. Jemi ballë për ballë me një strukturë terroriste, e dimë shumë mirë se si është e koordinuar”, tha ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu.

“Qeveria jonë është e vendosur kundër çdo akti terrorist. Ajo që ndodhi në Stamboll është e tmerrshme dhe absolutisht e dënueshme. Përtej kësaj, vendi dihet se ka një front të hapur me çdo manifestim të terrorizmit kudo në botë”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë greke Giannis Oikonomou.

Por gazeta turke Sabah e së martës ka vënë sërish në shënjestër Greqinë, duke theksuar se e reja me origjinë siriane, e cila u arrestua për sulmin në Istiklal, do të arratisej në Greqi, do të transferohej në kampin e Lavrios,pranë Athinës dhe më pas do të ekzekutohej për të zhdukur gjurmët e saj.

Greqia i mbron mirë kufijtë e saj dhe nuk do të pranonte kurrë terroristë në territorin e saj është përgjigjur edhe Ministri Mbrojtjes së Qytetarit Takis Theodorikakos. Ndërkohë brenda ditës kthehet në Selanik turistja greke që u plagos në sulmin e Stambollit dhe do to kurohet në një prej spitaleve të qytetit. Sipas përshkrimeve të babait të saj në televizionin publik shpërthimi ndodhi vetëm 7 metra larg së bijës duke plagosur për vdekje një çift që ndodhej para saj të cilët morën gjithë valën e goditjes.