Mbledhja e përbashkët Shqipëri-RMV, zv.kryeministri Grubi: Gjuha e unifikuar në Manastir, sot zyrtare! S’është më tabu që kryetari i Kuvendit të jetë shqiptar

Mbledhja e përbashkët Shqipëri-RMV, zv.kryeministri Grubi: Gjuha e unifikuar në Manastir, sot zyrtare! S’është më tabu që kryetari i Kuvendit të jetë shqiptar

Grupi

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grupi, në fjalën e tij në takimin e përbashkët Shqipëri-RMV tha se marrëdhëniet mes dy vendet janë vëllazërore.

“114 vjet më parë më 14 nëntor në Manastir do mblidheshin delegatë nga të gjitha anët për të organizuar Kongresin e Manastirit dhe unifikuar gjuhën shqipe. Më 22 nëntor përfunduam punimet e Kongresit të Manastirit që është një nga më të arriturat e Kombit shqiptar duke përfshirë edhe Lidhjen e Prizrenit dhe shpalljen  e  pavarësisë.  Gjuha e unifikuar më 1908 në Manastir sot është gjuhë zyrtare. Në aspektin e të drejtave, Gjuha shqipe është zyrtare flitet në qeveri, presidencë edhe në Kuvend, flamuri kombëtar është zyrtar, kemi tre universitete shqiptare në Maqedoni në të gjitha nivelet e arsimimit. Përfaqësimi i të drejtave ka arritur deri në 21 %. Nuk është më tabu që Kryetari i Kuvendit të jetë shqiptar”, tha ai.

Gjithashtu ai u ndal edhe në disa çështje të rëndësishme mes dy vendeve.

“I bashkangjitem mbështetjes së plotë edhe për Procesin e Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Propozoj disa pika shtesë për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar, formimin e komisionit të përbashkët të ekspertëve që do të përcaktojë vendndodhjen e rrugëve, çështjet ligjore dhe ato me interes të përbashkët. Kjo ka të bëjë me lidhjen e autostradave tona me korridorin tetë. Kemi miratuar ligjin në kuvend dhe jemi në pritje të firmosjes së kontratës në mes të dhjetorit me shpresë se do të bëhet një vendkalim tjetër që do të ulë koston me dhjetëra miliona euro të ndërtimit të autostradës. Ky komision do të marrë vendime për qeveritë e dy vendeve. E dyta ka të bëjë me lidhjen hekurudhore Shkup Durrës që dy qeveritë tona të angazhohen për përfundimin e saj. E treta që është një ide e kryeministrit Rama. Bëhet fjalë për Portin e thatë në Strugë, qeveritë e dy vendeve të kryejnë studimin për ndërtimin e një zone në formën e një porti të Thatë për ngarkesat që vijnë nga Porti i Durrësit. Dua të falenderoj kryeministrin Rama që na mundësoi qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit”, deklaroi ai.

Lajme.online