Liderët e BE-së në Tiranë do t’i kushtojnë Shqipërisë 450 mijë euro

Vizita e liderëve të Bashkimit Evropian në Tiranë më 6 dhjetor do t’i kushtojë shtetit shqiptar 450 mijë euro.

Kështu, me vendim të Këshillit të Ministrave, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, do t’i shtohet fondi prej 450 mijë euro për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë në dhjetor. Siç edhe bëhet e ditur, “fatura” e Samitit BE-BP, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

Kujtojmë se në Tiranë do të mblidhen më 6 dhjetor liderë të Bashkimit Evropian dhe ata të rajonit. Disa ditë më parë, Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm.

Po në këtë datë, opozita e kryesuar nga Sali Berisha ka paralajmëruar protestën e radhës. I pyetur nga gazetarët pas kritikave të shumta të bëra nga qeveria për zgjedhjen e kësaj date pikërisht në ditën kur në Shqipëri do të “zbarkojnë” liderët e BE-së, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se synimi është që t’u tregohet drejtuesve të unionit që “Shqipëria rënditet poshtë Vietnamit kur vjen puna te standardet e demokracisë.”