Kokainë gati për shitje në Lezhë, arrestohen tre të rinj, dy prej tyre kishin përdhunuar një të mitur

Tre të rinj janë arrestuar në Lezhë nga policia pasi u kapën me një pako të mbushur me dhjetëra doza kokaine, të gatshme për shitje.

Në pranga ranë, I. P., 20 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për drejtim të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike, A. G., 19 vjeç, banues ne Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje dhe K. T., 20 vjeç, banues në fshatin Kolsh.

Të rinjtë shpërndanin lëndë narkotike, të cilën e mbanin në banesën e një 16-vjeçari. Në momentin e kontrollit, 16 vjeçari, në banesën e të cilit u gjetën sendet e kundërligjshme, nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim.

Gjithashtu, rezultoi se 20-vjeçari I. P. dhe 19-vjeçari A. G., në banesën e 16-vjeçarit, kishin kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase të mitur 15 vjeçe, e cila është paraqitur në Komisariatin e Policisë dhe në prani të prindërve, psikologut dhe avokatit ka bërë kallëzim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, në ngarkim të shtetasve  I. P dhe A. G., ndërsa në ngarkim të shtetasve K. T. dhe të 16-vjeçarit, materialet u referuan për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.