Klasikja e Shqipërisë mbyllet pa gola, Laçi rikthehet te humbja. Barazon Kukësi

E ashtuquajtura Klasikja e Shqipërisë, Vllaznia-Tirana e luajtur në stadiumin Selman Stermasi në kryeqytet u mbyll në barazim 0-0.

Rastet e shënimit për të dyja skuadrat në fakt nuk munguan, por finalizimi ishte një problem për të dyja kampet. Patrick, Xhixha e Ismajlgeci pati mundësitë për Tiranën ndërsa nga kampi i Vllaznisë, Herald Marku dhe Aralica, madje ky i fundit u ndal nga shtylla, ishin personazhet që iu afruan më shumë golit për kuqeblutë.

Kështu, në fund nuk pati fitues teksa sa i takon klasifikimit Tirana mbetet në vendin e parë me 22 pikë, ndërsa Vllaznia është në vendin e tretë me 19 pikë.

Ndërkohë, Egnatia mposhti në shtëpi me rezultatin 2-0, Laçin. Golin e parë për rrogozhinasit e realizoi Agbekpornu në minutën e 63-të, ndërsa në limitet e kohës së rregullt Fernando dyfishoi shifrat për të siguruar fitoren e skuadrës së tij.

Vlen të theksohet se në minutën e 82-të, Laçi mbeti me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Mazrekaj, i cili protestoi ndaj arbitrit Bajramaj.

Pas këtij suksesi, të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro ngjiten në vendin e katërt me 18 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Laçi rikthehet te disfata pas tre fitoreve radhazi dhe mbetet në vendin e shtatë me 14 pikë.

Sakaq, nuk pati fitues në sfidën tjetër të Superiores, atë mes Kastriotit dhe Kukësit, sfidë e mbyllur në barazimin 1-1. Ishin krutanët ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Santiago Selmanit në minutën e 51-të ndërsa për të shmangur disfatën, verilindorët iu falën një autogoli të Stojanovic. Pas këtij barazimi, Kastrioti renditet në vendin e gjashtë me 15 pikë ndërsa Kukësi është në vendin e tetë me 12 pikë./ Super Sport