Inside Story/ Raporti i KLSH-së për “Zyber Hallullin”: Fëmijët janë të kequshqyer

Së fundi Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport auditimi mbi veprimtarinë e shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.

Raporti zbardh se kuota ushqimore e miratuar për fëmijët rezidentë në atë institucion është dhënë në normë më të ulët duke mos garantuar normat kalorike normale.

Referuar raportit, nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve. Thënë më thjeshtë, fëmijët jetimë janë kequshqyer.

KLSH në raportin e auditimit thekson se lidhur me nevojat ditore të fëmijëve për lëndë ushqyese dhe kalori, menuja ushqimore përgatitet për të gjithë fëmijët e institucionit pa dallim grup- moshe, gjinie ose gjendje të veçanta. Në hartimin e menusë ushqimore nuk merr pjesë ekipi multidisiplinar uke shkeluar kërkesat Rregullores së Brendshme të Organizimit dhe Funksionimit të Shtëpisë së Fëmijës.

“Vlera në lekë e përcaktuara për kuotën ditore për fëmijët nuk i përgjigjet të njëjtës sasi ushqimore që duhet të konsumojnë fëmijët, për shkak të mos respektimit të saj nga institucioni, si dhe mos indeksimit të kuotës ushqimore sipas indeksit të çmimeve të publikuara nga INSTAT.”

Raporti konkludon se abuzimi shtrihet në 3 vite, 2019,2020,2021. Niveli i kuotave financiare të shpenzimeve për Ushqime, nuk është i përditësuar duke qëndruar në vlera të njëjta të kostos ditore për çdo grup moshe të fëmijëve, prej vitit 2018. Pra, nuk është bërë indeksimi i detyrueshëm. Si përfundim, këto shkelje kanë sjellë pasoja të rënda tek ushqyerja e fëmijëve. Në raport theksohen edhe problematika të paaftësisë së stafit, gjithashtu edhe shkelje ligjore gjatë zhvillimit të tenderave.

“Në atë raport del një tablo mjaft shqetësuese, problematike për shtëpinë e fëmijës ‘Zyber Hallulli’ në Tiranë.Unë mendoj që është 50% e asaj problematike që ka shfaqur kontrolli i Lartë i Shtetit në atë raport. Ka probleme edhe më të rënda se kaq. Që lidhen me aspektin psikoemocional të këtyre fëmijëve dhe të edukimit”, u shpreh, Ilir Çumani Drejtori Përgjithshëm i institutit kombëtar i integrimit te jetimeve shqiptar.

Inside Story ju drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të ballafaquar këto gjetje, por ky institucion nuk pranoi ti përgjigjet interesit tonë.

Ndërkohë, Shërbimi Social theksoi se reagimin e vetë e ka dhënë në faqen e internetit të institucionit ku mohon gjetjet e KLSH.

“Lidhur me kërkesat e medias bazuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit kryer në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë, Shërbimi Social Shtetëror, siguron se fëmijëve dhe të gjithë përfituesve të institucioneve të përkujdesit shoqëror nuk u është cenuar për asnjë moment sasia, cilësia dhe kaloritë ditorë ushqimore sipas menuve të miratuara”.

Në Shqipëri operojnë 9 institucione publike të kujdesit shtetëror për fëmijë dhe 20 qendra jo publike rezidenciale për të mitur. Institucionet publike kanë rezidentë aktualisht 334 fëmijë dhe ato jopublike 264 fëmijë. Në pjesën e dytë të dokumentarit, ne do të zbulojmë të tjera histori dhe të dhëna që hedhin dritë mbi keqtrajtimet e fëmijëve në institucione.