Familja Sina, vrarë, arratisur e vdekur në diktaturë/ Botohet libri me dosjen e Musa Sinës, publicisti Radi: Radiografi e shtetit e shtrirë në 35 vite

Familja Sina, vrarë, arratisur e vdekur në diktaturë/ Botohet libri me dosjen e Musa Sinës, publicisti Radi: Radiografi e shtetit e shtrirë në 35 vite

Capture

Historia e familjes Sina me tre të vrarë, tre të arratisur dhe dy të vdekur në internim gjatë diktaturës komuniste, vjen përmes dosjeve të Musa Sinës. Një bashkëpunim i publicistit Jozef Radi me Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Ish Sigurimit të Shtetit sjell një botim që shfaq një aparat shtetëror kundër një familjeje e një individi të pafuqishëm.

“E zgjodha Musa Sinën për një arsye të thjeshtë, sepse kur kërkova dosjen e Musa Sinës, nuk doli një dosje, por 5 dosje. Ishte një lloj radiografie e shtrirë në 35 vite. Ishte dosja e hetuesisë, ishte dosja e gjykimit, ishte dosja formulare ose e Sigurimit, pastaj dosja e hetimit më 1980 dhe dosja e gjykimit, 1980”, tha publicisti Jozef Radi.

Musa Sina i nisi përplasjet me sistemin më 1944. Së pari varrosi të atin e vrarë nga forcat e ndjekjes, më pas vuajti internimet dhe burgjet deri më internimet në vitin 1991. Për Autoritetin tani mund të dalin më shumë të dhëna edhe për bashkëpunëtorët kundër Sinës.

“Kur lexojmë librin habitemi se si ka mundësi që sistemi ka kaq shumë investim te një figurë e zakonshme, një njeri i thjeshtë që të mund të përbëjë një rrezik kaq të madh për sistemin. Shteti komunist, shteti totalitar është supeperpermasa, është një investim aq i madh në jetën e Musa Sinës, me parti, me kufi, me ushtri, me Sigurim Shteti, me qendrën e punës- të gjithë merren. Është një përbindësh i përmasave biblike”, tha Genta Sula, kryetare e Autoritetit.

Musa Sina nuk ishte një figurë e rrezikshme që mund të rrëzonte sistemin megjithatë, sistemi e ndjek në mënyrë sistematike, atë dhe familjen e tij, duke lënë pas, jetë të prera dhe të shkatërruara. Përbindëshi është sistemi dhe padija mbi sa ndodhi, mund të tingëllojë hiberbolë.