“Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”/ Stoltenberg kërkon hetim, liderët botërorë reagojnë për sulmin vdekjeprurës në Poloni

Një vend i NATO-s u sulmua me raketë këtë të martë në mbrëmje duke lënë të vdekur dy persona.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Përmes një postimi në “Twitter” Jens Stoltenberg tha se ka komunikuar me presidentin polak Andrzej Duda për shpërthimin. Teksa shpreh ngushëllime për jetët e humbura në territorin polak, shefi i NATO-s thotë se po monitorojnë situatën, ndërsa priten më shumë fakte.

Loderët botërorë dënojnë sulmin, kërkojnë hetim për rastin dhe zotohen se janë të gatshëm të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se po e monitorojmë nga afër situatën dhe se janë në kontakt me “miqtë tanë polakë dhe aleatët e NATO-s”.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se “është e rëndësishme tani të përcaktohet se çfarë ka ndodhur saktësisht”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha gjithashtu se është në kontakt me Poloninë dhe se për këtë beson se do të diskutohet nesër në samitin e G20-ës.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka shkruar në Twitter se është i tronditur nga lajmi se një raketë ka vrarë njerëz në territorin polak.

“Ngushëllimet e mia për familjet. Ne qëndrojmë me Poloninë. Unë jam në kontakt me autoritetet polake, anëtarët e Këshillit Evropian dhe aleatët e tjerë”, shkruan ai.

Qeveria estoneze thotë se është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

“Lajmet e fundit nga Polonia janë më shqetësuese. Ne jemi duke u konsultuar ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë. Estonia është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Ne jemi në solidaritet të plotë me aleatin tonë të ngushtë Poloninë”, thuhet në postimin e kësaj ministrisë së Jashtme në Twitter.

Edhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se duhet mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s dhe se vendi i tij qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë.

Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se nëse Polonia konfirmon se raketat kanë goditur edhe territorin e saj, ky do të jetë një përshkallëzim i mëtejshëm nga Rusia. “Ne qëndrojmë fort pas aleatit tonë në BE dhe NATO“, ka shkruar ai në Twitter.

Sipas Nenit 5 të NATO-s, të gjitha vendet anëtare janë të obliguara të ndihmojnë një vend tjetër anëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial i të cilit mund të kërcënohet.