“Deri në përmbysjen finale të Edi Ramës”, Indrit Hoxha: Do të ndërtojmë një “politikë të kthimit”

“Deri në përmbysjen finale të Edi Ramës”, Indrit Hoxha: Do të ndërtojmë një “politikë të kthimit”

Indrit Hoxha

Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën në PD-në e Sali Berishës, Indrit Hoxha, këtë të shtunë ka konfirmuar një numër të madh emigrantësh që i janë bashkuar protestës kombëtare të thirrur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta kundra regjimit të Edi Ramës.

Ai theksoi se emigrantët shqiptarë kanë lënë punët e tyre atje, veç për t’iu bashkuar sonte protestës në bulevard.

Hoxha u shpreh se keqqeverisja e Edi Ramës i ka detyruar shqiptarët të largohen masivisht nga vendi ndërsa shtoi se me ardhjen e PD-së nesër në pushtet, do të frenohet emigrimi i shqiptarëve.

“Të nderuar bashkëqytetarë, që punoni dhe jetoni jashtë pasi ky vend nuk ju mbajti dot, kjo protestë sot, në këtë shesh, nuk mund të kishte kuptim pa ju. Për mua, si Sekretar për Diasporën në Partinë Demokratike, është një falënderim dhe mirënjohje që më buron nga zemra për pjesëmarrjen tuaj këtu në këtë datë vendimtare për të gjithë ne, në këtë protestë thelbësore për të ardhmen tonë, në këtë ditë që shënon një kthesë të re në gjendjen politike në Shqipëri. Duke ju drejtuar emigrantëve që kanë ardhur në këtë shesh, të cilët kanë lënë punën, fëmijët, preokupimet, axhendën e ngjeshur në vendet nga ku vinë, ne në fakt bëjmë një shërbim të madh. Bëjmë të mundur që shoqëria shqiptare, aktorët shoqërorë, herë- herë dhe indiferentë ose të preokupuar me hallet dhe problemet e tyre, kanë lidhje me gjendjen në Shqipëri. Jemi vend i NATO-s, jemi në mes të Evropës, jemi vend kandidat për BE dhe megjithatë shqiptarët ikin a thua se ka luftë si në Afganistan, apo në Siri apo në Irak. Shifrat e Eurostat për lejet e qëndrimit, dramat, reportazhet, gomonet, fabulat drejt ishullit britanik apo kudo tjetër e bëjnë drithëruese referencën me shqiptarët 32 vite pas rënies së komunizmit, tre dekada e gjysmë gati pasi ne u ndamë nga shoqëria e së keqes. Por pse?! Pse sidomos pesë apo dhjetë vitet e fundit ne po ikim dhe po ikim, dhe po vazhdojmë të ikim…. Kundrejt të gjitha rrethanave të favorshme ku gjendet Shqipëria dhe ku Partia Demokratike ka kontribuar aq shumë siç janë anëtarësimet në organizmat ndërkombëtarë deri dhe në NATO, siç janë liberalizimi i vizave, dy nga arritjet më madhore ndërkombëtare të integrimit të Shqipërisë, ne përsëri ikim me ritëm të shtuar gjithnjë dhe më shumë. Shkaku është kjo ndërtesë këtu, ose më saktë banori i përkohshëm i kësaj ndërtese të cilit sa më shumë t’ja shkurtojmë ditët e qëndrimit aty, aq më mirë është për ne.

Ne duhet të ndryshojmë pas heqjes së kësaj qeverie, të gjitha rrethanat dhe të gjitha shkaqet që i bëjnë njerëzit të largohen edhe pse një emigrim normal do të ketë gjithmonë. Ne kemi nevojë të ndërtojmë këtu brenda, ato politika, ato ide punë nxitëse që jo vetëm përqindja e njerëzve që largohen të ulet në shifra minimale të qarkullimeve mes shoqërive të lira, sikurse ëndërrojmë të bëhemi por të fillojmë të themelojmë një aspiratë, një politikë, një ëndërr të kthimit. Ëndrra e kthimit është tek çdo emigrant. Ajo është aty mjafton që ne të krijojmë të gjitha lehtësirat që njerëzit, të kthehen, të investojnë, të ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe të ardhmen e tyre, të sjellin këtu ekspertizën, pasionin, standardin e shoqërive perëndimore ku kanë shkuar.

Për një politikë të kthimit është angazhimi madhor i Partisë Demokratike në programin e saj  dhe këtë do ta fillojmë që me pushtetet lokale, me njësitë lokale deri në përmbysjen finale të Edi Ramës. Ne duam të bëjmë diçka. Ne duam që shqiptarët  të qëndrojnë këtu. NE duam që shqiptarët të kthehen. Deri atëherë me ju të nderuar bashkëkombas që sot jeni apo doni të ikni, ne duam të rrimë pranë dhe pranë. Ne duam të presim nga ju çdo ide, çdo kontribut. Partinë Demokratike e keni ministrinë e duhur të diasporës, që tani, pa marrë pushtetin dhe nesër gjithë qeveria jonë do të jetë një qeveri që jo vetëm do të frenojmë ikjen por do të ndërtojë një politikë të kthimit!”-tha Hoxha.