Debati mbi portin e Durrësit/ Gazetari: Investitori, arabi i katërt më i fuqishëm, hape Wikipedian. Bozdo i kthehet: Shteti operon me dokumente zyrtare

Debati mbi portin e Durrësit/ Gazetari: Investitori, arabi i katërt më i fuqishëm, hape Wikipedian. Bozdo i kthehet: Shteti operon me dokumente zyrtare

11111111

Çështja e projektit të portit të Durrësit u diskutua mbrëmjen e sotme në studion e emisionit ‘Open’ në News24, teksa anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo tha se kjo marrëveshje e qeverisë nuk ia vlen aspak pasi sipas tij ky investitor i huaj do ndërtojë vetëm pallate dhe se shteti po jep një pronë në pozicionin më strategjik që ka.

Nga ana tjetër gazetari dhe eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tha se kompania që do vijë në Durrës është një kompani prestigjioze që është përgjegjëse për ndërtimin e kullës së famshme të Dubait Burj Khalifa dhe shumë ndërtesave të tjera në botë. Sipas tij ai e ka cilësuar Shqipërinë si Europën e re dhe se ky investim do rrisë imazhin e turizmit të vendit dhe do nxisë investitorë të tjerë për vendin.

Bozdo:

Shkëmbimi i qeverisë nuk ia vlen aspak. Jemi duke i dhënë statusin investim strategjik nëj projekti lukrativ të ndërtimit të apartamenteve dhe shitjes së tyre që në themel. Shteti lë një pronë në pozicion strategji dhe merr mbrapsht një grimcë pa llogaritur koston e një porti të ri për mallrat që pritet të kushtojë deri në 2 miliardë dollarë. Ky investitor do ndërtojë vetëm pallate, ky projekt nuk nxit turizmin, nuk është hoteleri. Kemi 12 mijë e 600 apartamente lekët e të cilëve i shkojnë në xhep investitorit strategjik. Kemi 2 miliardë euro për tu paguar nga taksat tona për portin e ri të mallrave. Pse shteti shqiptar jep kështu pronën në pozicionin më strategjik që ka? Janë falur edhe 2 taksa veç truallit.

Çoçoli:

Ka shumë kompani që janë zhvillimore. Kontrata është me një kompani bijë të Eagle Hills ku drejtues është arabi i katërt më i fuqishëm në botë. Po të hapësh Wikipedian do e shohësh se është. Për këtë projekt janë bërë xhelozë edhe grekët, e di apo jo. Edhe TAP-i erdhi për fitimin e tij, nuk ka kompani që vjen për të mos fituar. Ai flet për CNN për Shqipërinë ku e cilëson si Europa e Re. Eagle Hills është kompani serioze. Ky ka investuar edhe në SHBA. Në ekonomi njihet efekti domino, nëse ka një imazh në një investim që mund të jetë elitar, si Burj Khalifa që është më e famshmja në botë, aty ka hipur Tom Cruise. Ky është një njeri që sjell 2 milionë vetë në një fshat nomadësh në Dubai, ky ka ndërtuar atë që quhet Dubai Mall. Dubai sot është ai që është edhe në sajë të tij. Kur vjen një investim elitar rritet imazhi i turizmit tonë. Do kemi edhe investitorë të tjerë sepse ky është vizionar dhe kurajoz, siç ka zgjedhur edhe Bjellorusinë dhe Serbinë.

Bozdo:

Shteti nuk operon e Wikipedia, por me dokumente zyrtare, Wikipedia nuk është dokument. Ne sot e kësaj dite nuk dimë gjë për të. Qeveria këto dokumente duet t’i çojë në Komision. Kjo çështje ka dy probleme. Arabët e pasur vijnë për tu pasuruar më shumë në vend. Problemet janë transparenca dhe ekonomiksi i projektit. Investitori strategjik do investojë vetëm 140 milionë euro, të tjerat janë para që merren nga shitja e apartamenteve.

Lajme.online