“Boll ma me urrejtje ndaj ish-të përndjekurve”/ Bashkëshortja e poetit Havzi Nela letër të hapur deputetëve

Letër e hapur nga bashkëshortja e poetit Havzi Nela
Drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë!
Zonja dhe Zotërinj!
Unë jam Lavdie Nela ish-e burgosure politike nga regjimi Stalinist i Enver Hoxhës. U burgosa së bashku me burrin tim heroin Havzi Nela në moshën më të bukur të rinisë, u dënova me 10 vite burg politike, dhe im shoq u dënua për gjithë jetën, duke e kryer dënimin në kampet shfarosëse të Burrelit, dhe Spaçit, dhe në kampin e internimit në një fshat malor të Arrnit Kukës deri në dt. 10 gusht 1988 kur diktatura e vari në litar kur binte muri i Berlinit në Europë.

Është me këtë fryme që mora iniciativën me iu drejtue sot anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e me shfaq shqetësimin tim të pakufishëm për një zhvillim sa te papritun aq edhe te pafalshëm nga ana e juaj si ligjvënës!

Zonja dhe Zotërinj Parlamentar!
Kushtetuta ashte ligji themeltar i vendit, dhe esenca e këtij ligji ashte mbrojtja e jetës dhe lirisë së qytetarëve, e të drejtave dhe lirive të tyre?

Fatkeqësisht shoh me keqardhje se ju si deputetë për interesa të pushtetit me vendime politike të partive që përfaqësoni e shkelni kushtetutën ndaj atyre qytetarëve shqiptarë të aftë për t’i shërbyer shtetit. por që ju nuk i keni militantë e zbatues të vendimeve tuaja politike.

Kemi tre dekada që në institucionet Kushtetuese nuk lejohen dhe promovohen kapacitetet antikomuniste që vijnë nga shtresa e të përndjekurve politikë.

Gjatë 31 viteve janë promovuar dhe kanë drejtuar këta institucione individë që i kanë shërbyer diktaturës, ose kanë lidhje politike me regjimin e diktatorit Enver Hoxha, dhe të votuar nga PD&PS.

Sot fatkeqësisht të gjitha institucionet kushtetuese drejtohen nga të priviligjumit e diktaturës.

Zbatimi i vendimeve politike të partive duke anashkaluar kushtetutën, ndalon të drejtën e antikomunistëve të konkurrojnë dhe drejtojnë institucionet kushtetuese. Institucionet kushtetuese janë të shqiptarëve jo vetëm për politikanët dhe interesat e tyre për pushtet. Vendimet politike që shkelin kushtetutën janë luftë klasash ndaj atyre që i mbijetuan krimeve komuniste.

Siç po veprohet dhe tani me kandidaturën për Avokat Populli. Paralelisht me ata nuk është edhe respekti për viktimat e pafajshme të këtyne krimeve janë dy aspekte të së njëjtës monedhë: natyra dhe pesha e përgjegjësisë sonë, si dëshmitare të kësaj tragjedie thellësisht njerëzore dhe rrënjësisht kombëtare, ashte një problem ekzistencial për të gjithë njerëzimin e ndershëm, problem që ka karakter politik e personal- dhe fetar për ata që besojnë!

Këtu kemi të bëjmë me “…një terrorizëm shtetëror të markës shqiptare që nuk dënon krimet e komunizmit dhe sot me mandatin e deputetëve juve si ligjvënës nuk lejoni që institucionet kushtetuese të drejtohen nga kapacitete që vijnë nga shtresa antikomuniste ish-të përndjekur nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës.

Boll ma me urrejtje ndaj nesh. Kemi 31 vite që po provojmë përçmimin e kësaj klase politike ndaj nesh të mbijetuarve të diktaturës.

Zonja deputete!
Në moshë tuaj jam dënuar dhe kam filluar kalvarin e vuajtjeve të cilat fatkeqësisht dhe sot në të ashtuquajtur demokraci vazhdojnë.

Keni 31 vite që votoni në parlament xhelatët, e regjimit të Enver Hoxhës. Dhe nuk votoni një të përndjekur politikë në drejtimin e këtyre institucioneve të shtetit shqiptar. Në emër të nënave, motrave që u sakrifikuan rininë e tyre, që ngelen pa fëmijë siç kam ngelur unë, e qindra të tjerë nga krimet e komunizmit, ju bëj apel; ndërgjegjësohuni, mos u turpëroni.

N.q.s doni të mbroni moralin, votoni për Avokat Populli kandidaturën e të përndjekurve politikë dhe të shoqërisë civile, Aktivistin e shquar në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut për tre dekada, birin e një nëne burrneshë që mbrojti hebrenjtë nga nazizmi, duke sakrifikuar ushqimin për fëmijët e saj. Djalin e një luftëtari antifashist, qëndrestarit antikomunist që përballoi torturat çnjerëzore të sigurimit të shtetit dhe që u dënua me 17 vite burg politik si agjent anglo-amerikanëve. Nipin e tre të pushkatuarve, dhe dy të mbytur në hetusi. Votoni përfaqësuesin tonë Dr. Besim Ndregjoni.

Anëtar të Kuvendit të Shqipërisë
Kandidaturat tona i demokratizojnë institucionet nuk i politizojnë ata.
I bëjmë thirrje të 59 deputetëve të opozitës: Bëni demokraci me vote dhe jo me vendime politike. Vota e juaj,nuk i shërben një individi, por kauzës dhe kontributeve për ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Shembjani këtë mur politik tridhjetëvjeçar që është ndërtuar me heshtje ndaj të përndjekurve politike se i shërbeni paqes dhe jo urrejtjes. Dënoni së bashku me ne, vendimet politike që merren nga politikan e forca politike për interesa klienteliste për miq e shokë, kundra kandidaturës të Përndjekurve Politikë. Jo narcizmit politik ndaj të përndjekurve.

Ua keni borxh të përndjekurve politikë që keni 31 vite që u merrni votën dhe mandatoheni me votën tonë dhe për të drejtat dhe liritë e tyre nuk çani kokën, dhe votoni të përkëdhelurit e diktaturës. Urrejtja është fenomeni më i lig që ka kaluar shoqëria shqiptare. Boll ma me urrejtje. Shqiptarët kanë vuajtur dhe po vuajnë nga urrejtja e politikës. Mos harroni se nqs nuk e dënoni urrejtjen ajo ka me u kthyer bumerang dhe për ju!
Na lejoni të jemi qytetarë me shanse të barabarta, neve që dënuam urrejtjen dhe përçuam paqen,
Boll ma! Shqiptarët kanë vuajtur 50 vjet nga urrejtja.

Lavdie Nela
Ish- e burgosure Politikë prej 10 vitesh.
Bashkëshortja e Poetit martir të lirisë Havzi Nela.