Berisha: Pas aferës së Portit të Durrësit fshihet Rama dhe Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se Kryeministri i vendit Edi Rama dhe ish-lideri i opozitës, Lulzim Basha janë aksionarë të fshehtë në kompaninë që do të ndërtojë portin e ri të Durrësit.

Në një komunikim për gazetarët, Berisha tha se “60 përqind të aksionarëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava”

“Pasi ka vjedhur 420 milionë euro me firmën e tij për ndërmarrjen e tij të djegësve, vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë në një sipërmarrje, shumë shpejt do e njihni, me dokumente false. 60 përqind të aksionarëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava dhe mafiozët e tyre. Po organizojnë në Durrësin e Shqipërisë vjedhjen më të tmerrshme në histori”, tha Berisha.

Berisha e ka akuzuar disa herë Bashën se ka bashkëpunuar me Ramën, por kjo është hera e parë që emri i ish-kryetarit të PD përfshihet në debatet për ndërtimin e portit të ri në Durrës.

Më parë Berisha ka akuzuar Ramën se pas marrëveshjes me kompaninë “Alabbar” fshihen disa serbë të lidhur me Aleksandar Vuçiç dhe presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.

Javën e kaluar, Parlamenti shqiptar miratoi kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për ndërtimin e portit të jahteve. Në marrëveshje, kompania pretendon se do të investojë 2 miliardë euro, për ndërtimin e portit, apartamenteve dhe hoteleve. Në marrëveshje, ndër të tjera, parashikohet një arkëtim prej 3,2 miliardë eurosh, 1,2 miliardë euro neto fitim. Gjithsej është parashikuar që të ndërtohen deri në 2,2 milionë metra katror sipërfaqe banimi, brenda vitit 2026.

Të premten, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi ndaj asaj që e cilëson si aferën e Portit të Durrësit. Nënkryetari Oerd Bylykbashi, njëherësh deputet i qytetit bregdetar, deklaroi se PD-ja kërkon nga Kushtetuesja të mos lejojë grabitjen e një pasurie publike, që sipas tij, i jepet kompanive offshore të lidhura me pushtetarët.

Pas padisë, kryeministri Rama akuzoi opozitën se ka krijuar një “aleancë rublash” kundër projektit. “Është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!”, shkruan Rama në Twitter.