Bashkohen Gjykatat e Apelit/ Në Gjykatën e Tiranës edhe bodrumet po kthehen në salla për gjyqet

Nga Gjykatat e Apelit të Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Durrësit dhe Shkodrës, përmbi 30 mijë qytetarë do zhvendosen për ta marrë drejtësinë në Tiranë.

Funksionimi i vetëm një gjykate apeli nis në 1 shkurt 2023, dhe së bashku me dosjet do të mbërrijnë në kryeqytet edhe gjyqtarët që i kanë nën gjykim. Kjo do të thotë se për çështjet që janë hapur nuk do ketë rishqyrtim. Në gjykatat që mbyllen do të qëndrojë vetëm administrata që do të presë paditë e reja.

Përpos fluksit të dosjeve, problem mbeten ambientet në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Në katin e nëndheshëm të gjykatës së Apelit në bulevardin ‘Zhan Dark’ po ripërshtatet nga një magazinë, ambienti do të kthehet në salla gjykimi në krahun e djathtë dhe në të majtin do kthehet në arkivë dosjesh.

“Janë 20 mijë dosje aktualisht në Gjykatën e Apelit, do të vijnë dhe gati 12 mijë të tjera pra shkojnë gati 30 mijë çështje”, tha Lertida Balili.

Veç shkrirjes së Gjykatave të Apelit, janë shkrirë edhe gjykata të shkallës së parë ku kanë mbetur vetëm 13 si dhe janë lënë vetëm dy administrative. Aktualisht të gjitha gjykatat janë të prekura nga stoku i gjykimeve.