Anglia do të rishkruajë marrëveshjen me Francën/ Rritje të numrit të oficerëve dhe dronë në brigjet franceze për të ndaluar emigrantët

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman ka udhëtuar në Paris për të nënshkruar një marrëveshje të zgjeruar në përpjekje për të ndaluar njerëzit që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.

Shuma që Britania e Madhe i paguan Francës për të mbuluar koston e patrullimeve të shtuara do të rritet nga rreth 55 milionë paund në vit në 63 milionë paund ndërsa numri i oficerëve që patrullojnë brigjet franceze do të rritet nga 200 në 300, sipas marrëveshjes së rishikuar.

Korrespondenti i BBC për punët e brendshme, Daniel Sandford tha se marrëveshja  do të pengojë më tej kontrabandistët e njerëzve që operonin në Francë, por nuk mund t’i jepnin fund tregtisë së tyre.

Qeveria britanike ka theksuar se nuk ka një zgjidhje të vetme për problemin e mijëra emigrantëve që rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar Kanalin me varka të vogla.

Përveç oficerëve dhe patrullave shtesë, paratë britanike do të lejojnë më shumë përdorim të dronëve dhe pajisjeve të shikimit të natës, dhe gjithashtu do të shpenzohen për rritjen e qendrave të pritjes dhe largimit në Francë.

Portet franceze do të marrin investime për të rritur përdorimin e CCTV dhe ekipet e qenve zbulues për të parandaluar hyrjen e paligjshme në MB nëpërmjet kamionëve. Vëzhguesit e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen në dhomat e kontrollit francez, dhe vëzhguesit francezë në dhomat e kontrollit të MB, për të ndihmuar në informimin e dislokimeve të njëri-tjetrit.

“Numri më i lartë i emigrantëve që kalojnë këtë vit është fajësuar pjesërisht për rritjen e madhe të numrit të shtetasve shqiptarë që bëjnë këtë udhëtim. Deri më tani këtë vit 12,000 shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe duke përdorur varka të vogla, krahasuar me vetëm 50 në vitin 2020”, shkruan BBC.