Alibeaj akuza për Portin e Durrësit: Shkelet Kushtetuta në disa pika, nuk ka garë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh në një konferencë për mediat se qeveria po përshpejton projekt-ligjin për Portin e Durrësit, ndërkohë nuk ka konkurrencë për këtë projekt.

Nga Kryesia e Kuvendit, Alibeaj u shpreh se shkelen nenet 11 dhe 18 të Kushtetutës me këtë projekt.

“Çdo ndihmë çdo privilegj do duhet t’u jepet çdo investitori të huaj me konkurrencë me garë. Ky është një parim dhe rregull që askush nuk duhet t’i shmanget. Në rastin konkret nga rezulton nga dokumentet se kjo marrëveshje po kalohet në ligj të posaçëm, pa garë pa konkurrencë. Ju kujtoj që pratikta e kësaj qeverive dhe këtij parlamenti ka pasur dy raste të tjera që i ka kaluar pa garë dhe konkurrencë, një është ligji për teatrin dhe tjetri ligji për aeroportin e Vlorës. Ky ligj shkel nenin 11 dhe 18 të Kushtetutës. Prona publike duhet të mbrohet si mbrohet prona private”, u shpreh ai.

Sipas Alibeajt shteti humbet 350 milionë euro nga ky projekt.

“Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje”, tha ai.

Me 62 vota pro dhe 20 kundër, Kuvendi miratoi kërkesën e qeverisë për të kaluar me procedurë të përshpejtuar një projektligj për Portin e Durrësit. Kalimi me procedurë të përshpejtuar, u kundërshtua nga opozita.