Alarm për bombë në avionin me 200 pasagjerë, bën ulje të detyruar në Gjermani

Një alarm për bombë në bord detyroi një avion që po fluturonte nga Polonia drejt Anglisë të bënte një ulje urgjente.

Avioni me 200 pasagjerë i kompanisë WizzAir bëri ulje emergjente në qytetin perëndimor të Gjermanisë Paderborn, rreth orës 22:00 me orën lokale. Më pas, në mjetin ajror u bënë kontrollet nga ekipet e specializuara dhe rezultoi se nuk kishte objekte të dyshimta si plasëse.

Operacionet e kontrollit të avionit u zhvilluan gjatë gjithë natës dhe gjithashtu mëngjesin e sotëm.

Policia njoftoi se 199 pasagjerët dhe 7 anëtarët e ekuipazhit të avionit Airbus A321 u akomoduan në hotele gjatë natës, përpara se të vazhdonin udhëtimin e tyre të hënën.

Herët në mëngjes aeroporti u rihap dhe puna vazhdon normalisht.