Zhupa: Shkolla “Emin Duraku” shpallet e rrezikshme 3 vite pas tërmetit

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e cilësoi skandal shpalljen në rrezik për t’u shembur të shkollës “Emin Duraku”, pas 3 vitesh nga tërmeti. Në një deklaratë për mediet para shkollës “Emin Duraku”, Zhupa deklaroi se është abuzim i pastër.

“Kjo shkollë me tërmetin e vitit 2019-të pati dëmtime të lehta sipas Institutit të Ndërtimit, i cili e certifikoi shkollën si të mundshme për të kryer procesin mësimor.

Jo vetëm kaq, por nxënësit dhe mësuesit kanë bërë mësim për 3 vite në këtë shkollë në kushtet që ishin të certifikuara si një shkollë e parrezikshme, pavarësisht dëmeve që kishte pësuar nga tërmeti. Me insistimin e prindërve ka pasur edhe disa rikonstruksione të vogla në këtë shkollë. 3 vjet më vonë qeveria, bashkia, Ministria e Arsimit kujtohen që shkolla qenka një shkollë  për t’u shkatërruar dhe qenka e rrezikshme për nxënësit dhe mësuesit. Shkollën tani e kanë nxjerrë jashtë funksionit, dhe duan ta shkatërrojnë dhe ta rindërtojnë nga fillimi”, tha në vijim Zhupa.

Po ashtu, Zhupa deklaroi se nëse shkolla ka qenë për t’u shkatërruar duhet të shkojnë për ndjekje penale ata që kanë rrezikuar jetën e mësuesve.

“Dy janë mundësitë: Ose shkolla ka qenë që atëherë për t’u shkatërruar, dhe nuk e kanë shkatërruar e kanë futur nxënësit dhe mësuesit duke u rrezikuar jetën për 3 vjet këtu. Në këtë rast duhet të shkojnë për ndjekje penale ata që kanë rrezikuar jetën e mësuesve dhe të nxënësve të Tiranës. Dhe në rastin e dytë kur shkolla nuk ka pasur dëme serioze dhe raporti i institucionit të ndërtimit ka qenë real, dhe sot po e prishin kot. Po e prishin për të marrë ato fondet e rindërtimit, për t’ia dhënë oligarkut të radhës, apo siç thonë banorët se duan t’i zvogëlojnë sipërfaqen për shkak të një pallati tjetër që do të ndërtohet në krah të shkollës. Edhe në këtë rast është shpërdorim detyre dhe për burg. Të dyja rastet i çojnë zyrtarët e ministrisë, zyrtarët e Institutit të Ndërtimit, zyrtarët e Bashkisë Tiranë në burg. Kjo është ajo që ne flasim çdo ditë, abuzimet që bëhen me paratë e shqiptarëve ne shkollat e shqiptarëve me arsimin e shqiptarëve”, tha ajo.