“Vrasjet” me mjetet ujore, gazetari Çelmeta: Të paralajmëruara, Policia kishte informacion, por heshti!

“Vrasjet” me mjetet ujore, gazetari Çelmeta: Të paralajmëruara, Policia kishte informacion, por heshti!

073aa4b6 3049 4bfc A88f E2123d8cd72a

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, gazetari i News24 Igli Çelmeta foli për ngjarjet e rënda të këtij sezoni, me mjetet ujore që lanë pas të plagosur, por i morën jetën 7-vjeçares Jonada Avdia. Çelmeta deklaroi se ngjarja e 2 gushtit ishte e paralajmëruar pasi Policia e Vlorës kishte informacion dy ditë më parë se skafet lëviznin në mënyrë të paligjshme.

“Ngjarja e 2 gushtit në Potam ishte një nga ngjarjet me të rënda të këtij sezoni dhe akoma më të rëndë e bën krimin fakti se autori ishte punonjës policie. Institucionet përgjegjëse për sigurinë nuk kanë marrë masat e duhura, edhe pse kjo ngjarje ishte e paralajmëruar. Por pse e them këtë? Më herët kishin ndodhur edhe 2 ngjarje të tjera, në Jal dhe Vlorë, fatmirësisht me të plagosur. Edhe pse ndodhën këto 2 ngjarje, institucionet nuk reaguan, madje deri më sot asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë përgjegjësi për ngjarjen. Nuk kemi asnjë dorëheqje, ndryshe nga se ndodhi në vendin fqinj Kosovën, ku për ngjarjen e abuzimit të një të miture u dorëhoq drejtori i policisë. Tek ne, për vrasjen e 7-vjeçares me një shkarkim zinxhirit komandues të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë. Drejtori i Policisë së Shtetit në atë kohë Gledis Nano pati reagim dinjitoz, vizitoi familjen e 7-vjeçares, shkarkoi zinxhirin kontrollues, madje nga burimet e mia donte dhe të dorëhiqej nga posti, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Ishte ngjarje e paralajmëruar pasi 2-3 ditë para ngjarjes janë bërë denoncime, ankesa për skafe dhe jet ski që shkelnin perimetrin e hapësirës ujore. Një nga këto raste ishte dhe skafi i Arjan Tases, i cili kishte skafe e jet ski edhe pse nën pronësi të të afërmit të tij, ankoroheshin shumë afër pushuesve. Edhe pse policia ka patur informacione për këtë gjë nuk kanë reaguar. Këtë e them nga komunikimet me dëshmitarë kanë pushuar në plazhin e Potamit. Gjithashtu ata më kanë bërë me dije se edhe hoteli ku vendoseshin jet ski ishte pa leje, ndërsa burime nga Bashkia Himarë më kanë bërë me dije se hoteli ishte në pronësi të Arjan Tases. Vlerësoj punën e Prokurorisë së Vlorës që ndryshoi akuzën në “Vrasje indirekte”. Tase nuk ka humbur kontrollin e mjetit, pasi e ka goditur të miturën është ndaluar nga pushuesit. Tase ishte i pajisur me patentë të mjeteve të qarkullimit ujor, e dinte që kishte thyer perimetrin e sigurisë”-tha gazetari Çelmeta.