Vetëm 10 ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor, qeveria vendos të mbyllë shkollën private turke “Mehmet Akif Ersoy”

Vetëm 10 ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor, qeveria vendos të mbyllë shkollën private turke “Mehmet Akif Ersoy”

Mehmetakifvete

Me një vendim të publikuar sot, qeveria ka vendosur që të mbyllë pas 26 vitesh aktivitet në vendin tonë, kolegjin turk në Tiranë, “Mehmet Akif Ersoy”.

Në vendim theksohet se kolegji turk ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar dhe të mbulojë të gjitha shpenzimet për procedurat në fjalë.

Gjithashtu përcaktohet se brenda tre javësh institucioni arsimor vendor duhet të ngrejë një grup pune për mbylljen e kësaj shkolle.

Është ende e paqartë arsyeja që ka shtyrë qeverinë të marrë këtë vendim 10 ditë pasi nisjes së vitit të ri shkollor 2022-2023, por vazhdimisht nga Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është tentuar të ndërhyhet në Shqipëri për mbylljen e disa institucioneve arsimore, për të cilat Ankaraja pretendon se financohen nga Lëvizja Gyleniste.

VENDIM:

PËR MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR “MEHMET AKIF ERSOY”, I CILI E ZHVILLON MËSIMIN EDHE NË GJUHË TË HUAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 42 e 70, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i licencuar me vendimin nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, për nivelin e arsimit të mesëm të lartë, i cili e zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj.
  2. Institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka këto detyrime:
  3. a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
  4. b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
  5. c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;

ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;

  1. d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
  2. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
  3. a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”;
  4. b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
  5. c) të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.
  6. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, fjalët “… kolegji “Mehmet Akif Ersoy”, i nivelit të arsimit të mesëm në qytetin e Tiranës… ”, shfuqizohet.
  7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare, Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” dhe fondacioni “Gulistan” për zbatimin e këtij vendimi.