Veliaj pret kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj: Bashkia e Tiranës do kontribuojë në një prej parqeve qendrore të qytetit

Bashkia e Tiranës do të kontribuojë në dy prej komunave shqipfolëse, në Tuz dhe në Preshevë, me dy parqe publike në qendrat e qyteteve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e zbuloi projektin gjatë pritjes së kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

“Ne duam të jemi pjesë e suksesit tuaj, ndaj kemi vendosur që edhe në Tuz, por edhe në Preshevë, të bëjmë një financim për një park publik; pra, për një zonë qendrore të qytetit, si një dhuratë nga Tirana, si një mënyrë për të lënë një shenjë të përbashkët dhe për të qenë kontribues në suksesin tuaj”,  tha Veliaj.

Ai shtoi se bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe komunave me popullsi shqiptare në Maqedoni, Serbi e në Mal të Zi, është rritur sidomos me krijimin e Unionit të Bashkive.

“Kemi ndërtuar një rrjet që filloi me pesë bashki e komuna, sot jemi në rreth 50, dhe besoj që do vazhdojmë të rritemi, por të rritemi jo vetëm si sasi, por edhe si cilësi”, tha Veliaj.

Kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, zbuloi po ashtu se gjimnazi “Arben Broci” në Tiranë do të binjakëzohet me gjimnazin e Tuzit.

“Ne kemi sot edhe një binjakëzim ndërmjet dy shkollave, gjimnazit të Tuzit dhe një gjimnazi këtu në Tiranë, dhe të gjitha këto janë mesazhe se jemi një dhe do të vazhdojmë bashkë në zhvillimin e vendeve tona”,  u shpreh ai.

Bashkëpunimi për të afruar edhe më shumë të rinjtë e dy qyteteve ishte gjithashtu në fokus të bisedimeve mes Veliajt dhe Gjeloshajt.