Sulmi kibernetik, Salianji: Qeverisë i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve. Përgjigjet Balluku

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji replikoi sot me zëvendës kryeministren Belinda Balluku lidhur me raportimin e saj në Kuvend për sulmet kibernetike që goditën Shqipërinë.

Salianji theksoi se Shqipëria është e vetmja në rajon që ka dështuar nga sulmet, pasi vendet e tjera nuk kanë pësuar një rrjedhje të tillë të dhënash.

“Ne këtë po kërkojmë që të mbahen përgjegjës, edhe Rama që mashtron dhe ata që kanë qenë përgjegjës për këtë që nuk kanë mbrojtur, nuk ka dështuar Shqipëria jo ka dështuar qeveria, i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve”, tha Salianji.

Balluku në përgjigje të Salianjit theksoi se Shqipëria nuk ka humbur asnjë të dhënë nga sulmi kibernetik

“Asnjë e dhënë nuk është zhdukur nga sistemi këtë ka thënë Rama. Ky sulm ka pasur si synim fshirjen totale të të dhënave por nuk ia kanë dalë”, tha Balluku.