Kushtet për anëtarësimin në BE/Ambasadorja Hohmann: Duhen rezultate në fushën e pastrimit të parave dhe angazhim në luftën kundër prodhimit të kanabisit

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann gjatë prezantimit të projektit të ri të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së, EU4LEA, është shprehur se hapja e negociatave është një hap mjaft i rëndësishëm por megjithatë ka akoma punë për tu bërë.

Ajo tha se duhet të konsolidohet reforma në drejtësi e të monitorohet historiku i hetimeve dhe dënimeve ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit.

Ajo tha se mjaft i rëndësishëm për rrugëtimin në BE është edhe angazhimi në luftën kundër prodhimit të kanabisit dhe armëve si dhe bashkëpunimi me shtetet e BE-së dhe agjensitë e zbatimit të ligjit.

Christiane Hohmann: Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore. Së pesti: zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta. Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme dhe të këtë sukses ne këtë përpjekje, ndaj jemi këtu.

16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Shqipëria çeli në 19 korrik negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian. Në konferencën e parë ndërqeveritare, mbajtur në Bruksel, kreu i qeverisë Edi Rama, e konsideroi aëntarësimin në BE, një çështje për ‘jetë a vdekje’, ndërsa u shpreh se vendi do të vijojë në përmbushjen e sfidave.