Kompensim vetëm për dushet, qeveria sqaron “keqkuptimin”: Nuk ka rimbursim për panelet për energjinë

Ministria e Energjisë në kuadër të masave për krizën botërore energjitike ka shpallur edhe një program për panelet diellore në vendin tonë.

Procesi është i ndarë në dy faza kryesore. Nga 1 tetori janë kompanitë ato që do të aplikojnë për të ofruar shërbimin e paneleve diellore, ndërsa nga 1 nëntori do të fillojë përzgjedhja e familjeve.

Këtu bëhet fjalë për panelet diellore që ngrohin ujin dhe jo ato fotovoltaike, prodhuese të energjisë

Rudina Banushi, Drejtor i Programeve në Fushën e Energjisë:

“Nga 1 tetori ne shpalim konkursin për kompanitë. Ndërsa nga 1 nëntori do të fillojë aplikimi nga familjet. Do të jenë 2000 të tilla që do të fitojnë në fazën e parë. Këto janë panele vetëm për të ngrohur ujin dhe jo fotovoltaike  për prodhim energjie. Do të subvencionohen familjet deri në 70% të masës së energjisë”.

Ky proces do të ndiqet nga Agjencia e Eficencës Energjitike, i cili pas montimit të paneleve diellore do të kontrollojë instalimet dhe të japë vulën e certifikimit për çdo përfitues të programit.

Ulja e konsumit të energjisë është një nga pikat kryesore që qeveria synon të arrijë në përballimin e krizës energjetike.