Kërkesa për rritjen e pagave/ Pedagogët takim tre orë e gjysmë me ministren Kushi, por s’ka dakordësi, lajmërohet protesta e radhës (VIDEO)

Kërkesa për rritjen e pagave/ Pedagogët takim tre orë e gjysmë me ministren Kushi, por s’ka dakordësi, lajmërohet protesta e radhës (VIDEO)

25a11ed5 Ba16 4882 9d58 2c729f996126 (1)

Pagat e pedagogëve dhe kërkesat e studentëve për mbështetje me një fond mujor prej 100 euro, ishin dy nga temat e nxehta të diskutimit ditën e djeshme në Parlament, me ministres e Arsimit Evis Kushi që i parapriu debatit, duke lajmëruar një takim të parashikuar për t’u zhvilluar sot në orën 15:00 në ambientet e MAS.

Teksa deputetët e opozitës me argumentet e tyre tentuan ta vendosin me shpatulla pas murit sa i përket mungesës së indeksimit të pagave dhe lënien e pedagogëve dhe mësuesve pa mbështetje përballë inflacionit dhe krizës ekonomike, Kushi u mbrojt duke thënë se në lidhje me pagat e pedagogëve kanë nisur diskutimet me rektorët që në muajin gusht.

Në datën 22 Gusht, në Ministrinë e Arsimit, ne kemi zhvilluar një takim me rektorët dhe administratorët e universiteteve, madje bashkë me ministren e Financave pikërisht për çështjen e pagave të pedagogëve, por edhe për çështje të tjera financiare. Çfarë vendime do marrim nuk mund ta them që tani, e rëndësishme është që ne e kemi këtë çështje në vëmendje, e konsiderojmë shumë të rëndësishme në varësi të shumë faktorëve që lidhen me situatën ekonomike, sigurisht do kemi dhe një vendimmarrje”, tha Kushi në Kuvend.

Ndërkohë në orën 15:00, ashtu siç edhe ministrja kishte deklaruar në ambientet e MAS u paraqit një numër i konsiderueshëm pedagogësh.

Gazetari Marjo Merhori që po ndjek zhvillimet pranë Ministrisë së Arsimit, ku nuk kanë munguar sot protestat në kuadër të mbylljes së disa shkollave të financuara me fonde nga Turqia, raporton se takimi me ministren Kushi dhe grupin e punës është mbyllur pas 3 orë e gjysmë diskutime.

Teksa pritej me kuriozitet vendimi që mund të arrihej, bëhet me dije se nuk ka dakordësi mes palëve për një rritje të mundshme të pagave.

Pedagogët në prononcimin për mediat thanë se pika kryesore e kërkesave të tyre që ishte ajo për ndryshimin e pagës nuk u mbështet nga Ministria e Arsimit, ndaj ata kanë lajmëruar se do të zhvillojnë protestën e tyre të radhës.

Protesta do të zhvillohet  më datë 5 tetor, në orën 11:00.