Japonia heq kufizimet për turistët e huaj

Japonia do të hapë dyert për turistët e vaksinuar, pas më shumë se dy vjetëve me kufij të mbyllur, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Prej 11 tetorit, turistët do të mund të vizitojnë këtë shtet pa viza dhe nuk do të kenë nevojë të angazhojnë agjenci udhëtimi.

Edhe kufizimi në numrin e turistëve që mund të hyjnë brenda shtetit në baza ditore, është hequr po ashtu.

Vizitorët ende do të duhet të tregojnë dëshmi se kanë marrë tri vaksina kundër koronavirusit dhe një test negativ, ashtu që të hyjnë brenda shtetit.

Fluksi i udhëtarëve po mirëpritet nga Qeveria dhe bizneset lokale, pasi valuta japoneze yen ka rënë në shkallën më të ulët në krahasim me dollarin amerikan.

“Japonia do të relaksojë masat e kontrollit kufitar për të qenë në linjë me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë kryeministri, Fumio Kishida.

Ky shtet ka lejuar hyrjen e udhëtarëve të huaj prej muajit qershor, mirëpo vetëm nëse kanë qenë të organizuar.

Japonia nuk e ka bërë kurrë të detyrueshme vendosjen e maskës dhe as masat tjera të izolimit, mirëpo shumica e banorëve i kanë zbatuar shpejt ato.

Më 2019, para se të shpërthente pandemia, Japonia ka regjistruar gati 32 milionë udhëtarë të huaj, që kanë hyrë brenda shtetit.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL