Berlusconi “mbron” aleatin: Putin shkoi me synim vetëm për të instaluar një qeveri të re në Kiev, u shty nga faktorë të tjerë për luftë

Ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi, duket se ka “mbrojtur” në një farë mënyre pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke thënë se lideri rus është shtyrë nga një faktor tjetër për të ardhur në këtë situatë që ndodhet tani.

85-vjeçari Italian tha se Rusia e pushtoi Ukrainën me synimin që të instalojë një qeveri të re në Kiev, duke i dhënë kështu një mbështetje aleatit të tij afatgjatë, presidentit rus Vladimir Putin.

“Putini u shty nga popullsia ruse, nga partia e tij dhe nga ministrat e tij për të shpikur këtë operacion special. Trupat duhej të hynin, të arrinin në Kiev brenda një jave, të zëvendësonin qeverinë Zelensky me njerëz të tjerë dhe një javë më vonë të ktheheshin. Në vend të kësaj ata gjetën një rezistencë të papritur, e cila më pas u ushqye nga armë të të gjitha llojeve nga Perëndimi”, shtoi Berlusconi.

Z. Berlusconi ka qenë prej kohësh një admirues i Putinit, në vitin 2012 duke iu bashkuar kryeministrit të atëhershëm për një udhëtim skijimi në qytetin rus të Soçit.

Këtë fundjavë partia e tij pritet të marrë pushtetin si pjesë e një koalicioni të krahut të djathtë në zgjedhjet e përgjithshme në Itali.