Bejko akuzon Berishën se po shkatërron PD

Anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko ka folur dje lidhur me lajmin se ish-kryeministri Sali Berisha mund të thirret në SPAK për të dëshmuar lidhur me privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Gjatë një prononcimi për mediat, Bejko e konsideroi këtë si diçka normale duke shtuar se e gjithë klasa politike duhej të thirrej para drejtësisë. Ndërsa Berishën e përcaktoi si liderin më të izoluar pas Enver Hoxhës, pasi nuk mund të udhëtonte drejt perëndimit për shkak të shpalljes “non-grata”.

“Ky është një problem personal i Berishës në morinë e problemeve që ka ai dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit si kryeministri, apo edhe ish presidenti, Ilir Meta. Këta i kanë kthyer në probleme politike për të gjithë shqiptarët. Për mua gatishmëria e Berishës për të dëshmuar në SPAK lidhur me privatizimin e kompleksit “Partizani” nuk është një lajm. Është një shtetas shqiptar si gjithë të tjerët dhe duhet të bëjë detyrën e tij”, deklaroi ai.

Më tej zoti Bejko u pyet regjistrimin e kallëzimit të Beqirit për Metën, teksa ky i fundit mund të thirret nga SPAK.

“Mendoj se të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të paraqiten kur i thërret drejtësia. Unë mendoj se e gjithë klasa politike e ka radhën për t’u thirru në SPAK, sepse është një klasë që përgjatë 32 viteve ka abuzuar me pushtetin dhe në perceptimin publik janë fajtor për korrupsionin galopant në drejtësi. Kjo ndodh kur qëndron me çdo kusht në politikë, bëhesh si ai uji i ndenjur. Klasa politike ka qelbur gjithë mjedisin shoqëror shqiptar. Unë uroj që Berisha të jetë i pafajshëm, por gjithë PD-në po e merr në qafë sepse e ka izoluar pa një projekt të qartë politik, me një ekip tmerrësisht të konsumuar dhe me statusin “non-grata”.

Berisha pas Enver Hoxhës është lideri më i izoluar sepse nuk shkon dot në perëndim. Këtë e paralajmëroi edhe vetë ambasadorja Yuri Kim e cila tha nëse do zgjidhni si kryetar një individ që është shpallur “non-grata”, do të hani bar. Konkretisht pjesa e foltores në PD po ha bar sepse nuk është alternativë”, nënvizoi Bejko.