Bashkohen paditë e Metës/ SPAK heton si një të vetme gjithë denoncimeve për ish-Presidentin

SPAK thotë se i ka bashkuar në një të vetme dy denoncimet kundër ish-Presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Zyrtarisht konfirmohet se çështja e lobimit nën hetim nga Arben Kraja dhe Sotir Kllapi që po gjurmojnë të dhëna nga dosja e i ish-deputetit Halit Valteri, është bashkuar me padinë më të fundit. Aty Meta dhe të afërmit e tij akuzohen se fshehën të ardhurat dhe kryen korrupsion.

Ky denoncim u krye në fillim të muajit shtator nga avokati Idajet Beqiri.

Avokati pretendon se ish-presidenti, bashkëshortja dhe fëmijët e tyre kryen trajtime estetike në një klinike private në San Marino. Këto të dhëna, sipas Idajet Beqirit, gjenden në kartelat mjekësore, por edhe në rrugëkalimet e sistemit TIMS. Por edhe për këtë referim, SPAK po bëhet gati të komunikojë me homologët përmes letërporosive të tjera.

Mes dhjetëra veprimeve hetimore, siç janë administrimi i përgjigjeve bankare, më i rëndësishmi është letërporosia e përcjellë amerikanëve.

Kallëzimi i Halit Valterit, që mori shkas nga investigimi i një medieje austriake përmend dyshime kurrupsioni dhe mos deklarimi mbi lobimin prej 700 mijë dollarë të LSI-së përmes një kompanie qipriote. Një tjetër çështje që po hetohet e veçuar është edhe ajo që u vu në lëvizje nga gazetari Adriatik Doçi që ngre akuza për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.